Britania: Veprime konkrete për vizat, nuk mjaftojnë deklaratat

Britania e Madhe kërkon më tepër angazhim të shtetit shqiptar në plotësimin e kushteve për procesin e anëtarësimit në BE. Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona Mcllwham, në një takim të zhvilluar në qytetin e Vlorës, duke u përgjigjur në lidhje me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kërkon plotësimin e kushteve për të përfituar edhe nga procesi i liberalizmit të vizave.

Në leksionin e saj përfaqësuesja britanike në Shqipëri ka prekur gjithashtu edhe zhvillimet politike në Shqipëri. Referuar qeverisë Berisha-Meta, diplomatja britanike tha se “deklarimet e tyre mbi liberalizimin e vizave e kushteve të tjera për anëtarësimin në BE janë pozitive, por e rëndësishme është rikthimi i tyre në veprime të vërteta dhe janë të gjitha gjasat që ata ta bëjnë një gjë të tillë.

Të gjitha palët janë të angazhuar, por hedhja në veprim është shumë më e vështirë se fjalët”. Në lidhje me zgjedhjet, britanikja tha se BE priti raportin e OSBE dhe ODIHR, si do i shikonin ata këto zgjedhje. “Zgjedhjet u monitoruan dhe OSBE bëri një deklarim për këtë. Ato treguan se ka ende për t’u përmirësuar dhe nuk arritën të përmirësonin standardet, por ODIHR ka dhënë rekomandime, të cilave Shqipëria dhe unë e shikoj këtë gjë shumë pozitive”, tha ajo. Gjithsesi ambasadorja britanike nuk dha afate në lidhje me këtë anëtarësim, por kujtoi se do të shihet zbatimi i ligjit, ekonomia e elemente të tjera dhe kjo varet nga qëndrimi i Shqipërisë.

Duke ju përgjigjur interesimit për mediat në lidhje me integrimin e Shqipërisë, përfaqësuesja britanike tha se ky është një proces që kërkon kohë dhe kërkon angazhimin jo vetëm të klasës politike. Ajo theksoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian, bazuar në kushte të forta. “Kushtet ekzistojnë dhe janë themelore për besueshmërinë dhe ritmin e procesit të zgjerimit. Dhe në klimën aktuale ekonomike dhe politike, dëshira për t’i ulur këto standarde, pavarësisht sa të fortë janë argumentet gjeo-politike, është e vogël”, tha Mcllwham.

Ambasadorja theksoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, nëpërmjet investimeve në projekte, programe dhe njerëz në rajon, ndaj reformave që do t’i afrojnë vendet më shumë te standardet e BE-së. (Panorama q.b)

Privacy --- Terms & Conditions --- Contact us

Official Sponsors

Official Sponsors