Dy shqiptarë, rrahin 4 policë italianë


PADOVA - Katër karabinierë të provincës së Montegrotos së Padovas në Itali dhe banakierja e një lokali, kanë përfunduar në spital në gjendje të rëndë, pasi janë rrahur keq nga dy emigrantë shqiptarë. Sipas mediave italiane mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një lokal natë në provincën e Padovas, në veri të Italisë dhe dy emigrantët shqiptarë që janë arrestuar si autorë të ngjarjes, kanë qenë të gjendje të dehur.

Ngjarja është denoncuar në polici nga banakierja e një lokali, e cila ka qenë e para që është dhunuar nga dy shqiptarët. Autorët e ngjarjes janë Viktor Kodraj, 22 vjeç dhe Rudolf Toma, 28 vjeç. Ata kanë qenë në gjendje të dehur, kur banakierja u ka kërkuar paratë e pijeve që kishin konsumuar dhe ata e kanë goditur me grushte. Më pas ajo ka mundur të lajmërojë policinë. Patrulla e parë që ka mbërritur në afërsi të lokalit është përballur me dhunën e dy emigrantëve shqiptarë. Dy policët janë rrahur keq dhe kanë kërkuar përforcime, duke përfunduar vetë në spital. Por edhe patrulla e dytë ka pasur të njëjtin fat, me ndryshimin e vetëm, se pavarësisht se janë rrahur nga dy shqiptarët, ata kanë arritur t’i prangosin.

Në spitalin e Padovas janë shtruar tashmë 5 persona, 4 policët dhe banakierja. Sipas mediave italiane mësohet se dy policë dhe gruaja janë në gjendje të rëndë dhe mjekët u kanë rekomanduar që të qëndrojnë për 10 ditë në spital. Ndërsa dy karabinierët e tjerë kanë plagë më të lehta dhe mund ta lënë spitalin në ditët në vazhdim. Dy emigrantët shqiptar, Kodraj dhe Toma, janë dërguar në burgun Palazzi, në pritje për t’u përballur me akuzat në gjykatë.

Privacy --- Terms & Conditions --- Contact us

Official Sponsors

Official Sponsors