Bashkimi Evropian mund të marrë vendim brenda vitit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Kjo u bë e ditur dje në Nju Jork gjatë një takimi mes zv.kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, me homologun e tij italian, Franko Fratini. Meta, i cili ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi takime të veçanta me homologët e tij të Italisë, Holandës, Hungarisë, Australisë, Salvadorit, Ukrainës, Malit të Zi, Bahreinit, etj.
Në këto takime kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi marrëdhëniet me këto vende, teksa u kërkoi homologëve të tij mbështetje për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit. “Gjatë takimeve me ministrin italian, Franko Fratini, atë hungarez Peter Balazh dhe atë holandez Maxime Verhagen, u diskutuan çështje që lidhen me integrimin evropian të vendit, procesin e liberalizimit të vizave si dhe me intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Ministri italian Fratini u shpreh optimist për marrjen, brenda këtij viti, të vendimeve të rëndësishme e pozitive të BE-së, lidhur me Shqipërinë; Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Balazh, ofroi ndihmën e vendit të tij në arritjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke ofruar asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit, ku vendi i tij ka eksperiencë të pasur”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.
Këshilli i Bashkimit Evropian pritet t’i rekomandojë Komisionit pas pak javësh të përgatisë opinionin për aplikimin e Shqipërisë, ndërkohë që një në fund të vitit mund të merret vendimi lidhur me heqjen e vizave edhe për vendin tonë dhe Bosnjën. Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Meta, u takua gjithashtu edhe me homologun e tij të Bahreinit, Ukrainës e Salvadorit, me të cilët bisedoi mbi zhvillimet në Kosovë dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Meta e falenderoi ministrin e Bahreinit për njohjen nga vendi i tij të shtetit të Kosovës, si dhe për depozitimin e qëndrimit të tyre në favor të pavarësisë, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Ndërsa në takimet me Ministrat e Jashtëm të Ukrainës e Salvadorit, Meta midis të tjerash kërkoi njohjen nga vendet e tyre të shtetit të ri të Kosovës, si një realitet të pakthyeshëm dhe si një kontribut në favor të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp. (Panorama)
Fratini: Vizat, brenda vitit
Labels: Lajme
Subscribe to:
Post Comments (Atom)


0 comments:
Post a Comment